Warszawa, 28 października 2018 r.
Albański film "Delegacja" w reżyserii Bujara Alimaniego zwycięża na 34. Warszawskim Międzynarodowym Festiwalu Filmowym i zdobywa Grand Prix oraz Wyróżnienie od Jury Ekumenicznego.
Jest to wielki sukces albańskiej kinematografii, która po latach niebytu przemówiła własnym, mocnym głosem o potrzebie wolności WTEDY TAM i TU i TERAZ.
Na zdjęciach: scena z filmu; ekipa filmowa; od lewej odwtórca głównej roli Viktor Zhusti [Żusti] i reżyser Bujar Alimani; na spotkaniu z publicznością po pokazie; z byłą ambasador RP w Albanii Ireną Tatarzyńską; Bujar Alimani z tłumaczką Dorotą Horodyską
Pełna lista nagrodzonych:
Recenzja Mateusza Żebrowskiego:
http://drugiseans.blogspot.com/2018/10/delegacja-recenzja-34-warszawski.html
Wywiad z Bujarem Alimanim w albańskiej "Gazeta Shqiptare":
http://www.gsh.al/2018/10/25/bujar-alimani-delegacioni-per-rezistencen-intelektuale/
Fatmira Nikolli – Të bësh në jetë atë që bën në artin tënd. Kjo është fraza eparë që më erdhi në mendje, pasi kam marrë përgjigjen për një prej pyetjeve drejtuar regjisorit shqiptar që sjell në atdhe një çmim të parë europian prej një gare të kategorisë A.
“Rezistenca intelektuale!”- më thotë si përgjigje Bujar Alimani, kur e pyes për atë linjë të parë që mbase nuk thuhet me zë të lartë, por është aty pas çdo skene e pas çdo dialogu në filmin “Delegacioni”, i vlerësuar me “Grand Prix” në Festivalin e Filmit në Varshavë. Më flet pastaj për lirinë dhe raportin e vështirë që ne kemi me të, për të qenit të dashuruar e se si kjo ndjesi vjen pasi e ke vrarë frikën. Përtej asaj që Alimani pohon unë marr prej tij shpresë, se përtej gjithë zhgënjimeve ka nga ata që qëndrojnë, e që e tregojnë të shkuarën duke e parë të tashmen e të ardhmen në sy për t’i thënë “mos i ngjaj”.
Muajt e fundit debatet publike kanë sjellë një tronditje mes njeriut e artistit, vijën që i ndan, atë që i bashkon, besnikërinë ndaj asaj që recitojnë a përçojnë me punën që bëjnë, e mandej thyerjen e të gjithave kur lënë sheshxhirimin a skenën, në raportin personal të secilit me (pu)shtetin. Si rënia e një perdeje, të madhe e gjigande jemi rrëzuar, ‘rezistenca intelektuale’ e Alimanit më ofron një tjetër dimension.
Atë që Alimani e thotë me regjinë dhe me rrëfimin e pohon edhe anëtarja e jurisë, Joanna Kos-Krauze, kur thotë: “Për pesëshen e anëtarëve të jurisë, ishte filmi më i përmbushur…Menduam që ishte i tillë në çdo aspekt, që nga skenari, përmes një regjisure shumë të ndërgjegjësuar, karakteret e ndërtuara në mënyrë të shkëlqyer, aktorët në të gjitha episodet ishin fenomenalë, vlerësuam, gjithashtu, që ky ishte një ndër filmat e parë, në kinematografinë shqiptare, dukej që filmi ishte me buxhet të ulët, por sakaq, shumë i mençur i mirëmenduar në produksion, film, që, gjithashtu, ka nevojë për mbështetje, por ky nuk ishte aspak argumenti kryesor, por vetëm një argument anësor, por në fund të fundit, një kinematografi e shkëlqyer, njerëz të ndërgjegjshëm dhe të pjekur kanë realizuar. (…) pastaj, nuk është e thjeshtë të bësh një kinematografi politike, e cila të prekë ndjenjat, të provokojë dhe në fund të jetë edhe humoristike. Prandaj, me të vërtetë një punë e shkëlqyer, ua rekomandoj të gjithëve, tekefundit, ky është një verdikt që do të shkaktojë bujë. Verdikti ishte unanim”.
Skenari i filmit, shkruar nga Artan Minarolli, vendoset në tetor të 1990-ës. Një delegacion europian vjen në Tiranë për të monitoruar vënien në jetë të reformave nga ana e qeverisë. Luani, protagonisti i interpretuar nga Viktor Zhusti, nxirret fshehtas nga një burg i largët e sillet në kryeqytet. Ka qenë i burgosur politik për 15 vjet. Tani është kthyer në një aset shumë të vyer për qeverinë. Delegacioni europian kryesohet nga një shok i vjetër shkolle i Luanit. Detyra e tij është të verifikojë progresin e të drejtave të njeriut në Shqipëri. Luani mund ta bindë atë se gjithçka shkon mirë. Por asgjë nuk shkon siç është planifikuar. Në film luajnë aktorët Viktor Xhusti, Ndriçim Xhepa, Xhevdet Feri, Kasem Hoxha, Rovena Lule, Bislim Muçaj, Selman Lokaj, Mehmet Xhelili, Kristaq Skrami. Pjesë e kastit është edhe aktori gjerman Richard Sammel (që ka luajtur te “Inglorius Basterds”, “La vita è Bella”) dhe Inva Mula që interpreton kolonën zanore të filmit, punuar nga Etleva Turkeshi Minarolli dhe Ilir Bajri.
Sot, të gjithë do të duam të marrim prej suksesit të tij, por pak prej nesh do të duan të pranojnë parimet e tij, sepse parimet bien ndesh me rregullat e me politikat, por ky është një film e kjo është një intervistë, për lirinë, rezistencën intelektuale dhe zërin që nuk pranon të bëhet fortafolës, por dëshirën të mbetet vetëm zë, i qartë, i kthjellët dhe i pastër, është zëri i njeriut të lirë, që është i gatshëm ta paguajë lirinë e vet.
-Një Grand Prix për “Delegacionin” në Varshavë film Festival. Në mesin e festivaleve të filmit, çfarë vendi zë Varshava dhe çfarë domethënie ka një Grand Prix për kinemanë shqiptare?
Festivali Ndërkombëtar i Varshavës hyn në listën me 15 Festivale të njohur si të kategorisë A nga Konfederata e Producentëve Botërorë të kinematografisë ku përfshihet dhe Berlini, Kana, Venecia, Locarno etj. Të fitosh një GRAND PRIX në një festival të tillë është një gjë e jashtëzakonshme. Me çmimin që mora në Varshavë kinematografia shqiptare bën që bota e filmit të rikthejë vëmendjen nga ajo.
-Keni punuar gjatë me të dhe e kishit si “amanet” ta çonit në fund. E prisnit ju një vlerësim të tillë?
Që të jem i sinqertë e “mërmërisja” nëpër dhëmbë një sukses të tillë. E dëshiroja pa dyshim dhe kjo është e natyrshme. Ky projekt më ka marre rreth 11 muaj nga jeta e koha ime përfshirë dhe fazën përgatitore. Vështirësia ka qenë se më duhet të lija familjen në Nju Jork e të punoja në Evropë, gjë e cila nuk ka qenë e lehtë.
Përfundimi i filmit precizonte kryerjen e amanetit. Por unë nuk mund të mjaftohesha me kaq. Për mua ishte filmi im i tretë dhe duhet të ishte përtej amanetit, një vepër e plotë artistike. Dhe e kam projektuar veç si të tillë.
-Një punë e nisur nga Minarolli. Një kastë e mirë aktorësh. Si e bëtë përzgjedhjen e tyre? Sa e vështirë ishte të realizoheshin rekuizitat e skenografitë për fillimvitet 1990, nga krevatet e dhomat, te veshjet e transporti?
Artan Minarolli u nda nga jeta sapo e kish nisur projektin. Kish mundur të përcaktonte dy prej aktoreve kryesore Ndriçim Xhepën dhe Xhevdet Ferrin. Gjithë pjesa tjetër u përcaktua prej meje më vonë. Na duhej të studionim me stafin fotografi dhe video të asaj periudhe. Për fat të mirë kishim një artist të jashtëzakonshëm me një eksperiencë të gjatë në kinematografi. I ndjeri Andon Koja, i cili u nda para një viti nga jeta. Dhe personalisht jam rritur në komunizëm dhe e njoh mirë atë periudhë me gjithçka ajo përmbante.
– Kemi kaq kohë që u fshihemi të “huajve”, që iu fshehim realitetin tonë delegacioneve, që strukemi në dhimbjen tonë duke ua fshehur të tjerëve. Sa u perceptua kjo ndjesi te publiku?
‘DELEGACIONI’ është një trajtim i vërtetë dhe i thellë i atij realiteti. Në film ruhet një e mesme e artë mes jo denoncimit pllakat të sistemit dhe nostalgjisë për të. U thelluam në marrëdhëniet e karaktereve kryesore që të bëjmë të besueshme një dramë, e cila në pamje të parë duket kaq klasike e që rrezikon të matesh me të duke rënë në trajtime formale.
-Si u prit nga publiku i festivalit realiteti shqiptar në film? Çfarë komentesh morët? A është disi i panjohur për ta?
Polakët nuk dinin shumë gjëra për Shqipërinë. Izolimi komunist dhe më tej “fluturimi” i Polonisë drejt Evropës krijoi një hendek kontakti, kështu që interesi i publikut ishte i madh njësoj si të zbulonin një vend që është pranë, por që nuk e kanë vënë re kurrë. Më tepër, pyetjet kishin të bënin me realitetin e sotshëm shqiptar dhe sesa influencë të çdo lloj forme ka e kaluara komuniste ndër ne shqiptarët.
-Cili qe motivacioni me të cilin u vlerësua filmi?
‘DELEGACIONI’ mori dy çmime, një GRAND PRIX dhe ÇMIMI ECUMENICAL për humanizmin, dashurinë dhe paqen që filmi i përcjell si mesazhe.
GRAND PRIX u motivua si një trajtim krejt modern i një teme tejet të vështirë siç është e kaluara komuniste.
-Kur merrje urimet, përgëzimet apo review për filmin, çfarë të vinte në mendje?
Më vinte ndër mend nëna ime që ishte në Shqipëri e priste dhe vajza ime në Nju Jork që, gjithashtu, ishte në ankth.
-Nëse ka një ide kryesore, një linjë të parë që mbase nuk thuhet me zë të lartë, por është aty pas çdo skene e pas çdo dialogu, cila do ishte ajo?
Rezistenca intelektuale.
– Duket se ende, tri dekada pas kohës në të cilën përqendrohet filmi, ne i fshihemi lirisë, apo jo?
Është shumë e bukur, por shumë e vështirë të jesh i lirë. Shpesh njerëzit mendojnë se janë të lirë ose u pëlqen të ndjehen të tillë. Liria mendoj se ka një dimension krejt tjetër nga çfarë ne kemi perceptuar këto tri dekada. Shpesh duket se historia veçanërisht me ne shqiptarët bën riciklimet e veta. Që të jesh i lirë, do të thotë të jesh i dashuruar. Që të jesh i dashuruar, do të thotë të kesh vrarë frikën në çdo aspekt. Nuk e di në qoftë se këto të dyja ekzistojnë fort ndër ne.
-Nga larg ti e ke ndjekur debatin për mbrojtjen e teatrove kombëtarë. Ke mbajtur dhe qëndrimin tënd herë pas here. A të janë mbyllur dyer për këtë? A je ndjerë ndonjëherë i vetëcensuruar për këtë?
Unë nuk kam mbajtur qëndrim herë pas here, por kam mbajtur vetëm një qëndrim. Jam që Teatri Kombëtar të mos prishet dhe që të kemi jo një, por disa teatro të tjerë. Fakti që flas hapur dhe pozicionohem nuk do të thotë aspak se vendosëm në formacione të përcaktuara politike. Unë nuk aderoj në asnjë parti dhe kam vlerësuar e vlerësoj çdo vendim qeveritar, i cili është në të mirë të artistëve të vendit tim. Në Shqipëri shpesh gjërat përplasen bardh e zi – o me ne, o kundër nesh. Mendoj se mund të jemi më tolerante në diversitetin e mendimeve për kauza të caktuara.